“Rusia do të tentoj edhe më tej të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, por nuk ka fuqi ta ndalojë anëtarësimin e saj në NATO, përderisa zbatohet marrëveshja me Greqinë për ndryshimin e emrit”, deklaroi Dimitar Beçev, bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik dhe hetues në Qendrën për Studime Sllave, Euroaziatike dhe Lindore në Universitetin e Karolinës Veriore.
Beçev në një intervistë për Evropa e Lirë, tha se Rusia do të vazhdojë me politikën e saj oportuniste në Ballkan, duke shfrytëzuar çdo moment për propagandë dhe ndikim në terren, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tij, Rusia do ta shfrytëzojë mundësinë të kyçet në punët e brendshme të Maqedonisë, por nuk është e qartë çfarë ndikimi do të ketë, pasi për momentin sipas tij, anëtarësimi në NATO për momentin është i sigurt.
“Pengesa e vetme është ajo që do të ndodhë në Greqi, por unë nuk mendoj se Rusia ka aq potencial të madh që ta vështirësojë këtë proces dhe për këtë arsye do të ketë propagandë të madhe”, tha Beçev.
Ndërsa në lidhje me situatën e brendshme në Maqedoni, Beçev thotë se do të jetë interesante ajo se çfarë do të ndodhë tani./Telegrafi/