Irani është në mesin e vendeve të prekura nga kufizimet e udhëtimit, por një foshnjë katër muajsh nga republika islamike i është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Fëmija është e sëmurë dhe ka nevojë për një ndërhyrje urgjente kirurgjikale në zemër.
Rasti i Fatemeh Reshadit ishte prekur më herët nga anëtarja demokrate e kongresit, Suzanne Bonamici, e cila e kritikoi ashpër urdhrin e Donald Trump-it në fjalën e mbajtur përpara dhomës së përfaqësuesve.
“Nuk e di çfarë pati në mendje presidenti ynë kur e firmosi këtë urdhër, por me siguri nuk ka menduar për beben Fatemeh. T’i mbash foshnjat katër muajshe jashtë kufijve të Amerikës nuk e bën këtë vend më të sigurt. Kjo thjesht redukton shanset e saj për të jetuar dhe e ul figurën e SHBA-së në sytë e botës”, tha Suzanne Bonamici, anëtare e Kongresit amerikan.
Mbrëmjen e së premtes, përcjell tch, Gjykatësi Federal, James Robart në Seattle urdhëroi bllokimin e përkohshëm të dekretit në rang kombëtar.
Me vendimin e tij, Robart i doli kundër juristëve të qeverisë që pretendonin se shtetet amerikane nuk janë në pozitën të sfidojnë urdhrat ekzekutive të Trump-it. Protestat kundër urdhrit që solli pështjellim e kaos në aeroportet amerikane nuk kanë të reshtur.
Njerëzit kanë dalë në rrugët e Sidnejt, Kanbera-s, Njukasëlli dhe Hobartit në Austriali si dhe në ato të kryeqytetit indonezian Xhakartë për të treguar se janë kundër diskriminimit.
Masën e Trump-it e kritikoi ashpër dhe ish-ambasadori irakian në Amerikë, Lukman Faily, i cili e konsideron tejet të padrejtë për popullin e vet dhe të tjerët. /Telegrafi/