Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetin social Facebook një video të monumentit ikonik “New Born” në Prishtinë, në kuadër të festimeve për përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në mëngjes, Rama e nisi ditën me një urim të shkurtër, duke përgëzuar popullin e Kosovës për këtë ditë të shënuar dhe duke i uruar “mbarësi” vendit dhe qytetarëve.
Më vonë, ai ndau një video të monumentit “Newb Born”, i cili simbolizon lindjen e shtetit të ri dhe aspiratat për një të ardhme të ndritur.
Në videon e shpërndarë nga kryeministri shqiptar dëgjohet në sfond një këngë me mesazh pozitiv, ku një nga vargjet e saj thotë: “Është një ditë e bukur, prandaj lëre të shkojë, dhe mos u kthe mbrapa.”
Kjo zgjedhje muzikore duket se përcjell frymën e gëzimit dhe reflektimit që e shoqëron këtë ditë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës festohet me ceremoni dhe aktivitete të shumta në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa liderë politikë dhe personalitete të njohura shprehin mbështetjen e tyre për shtetin më të ri në Ballkan.
Monumenti “New Born”, i cili çdo vit ndryshon dizajnin e tij për të pasqyruar mesazhe të ndryshme shoqërore dhe historike, mbetet një nga simbolet më të njohura të pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës./Telegrafi/