Telegrafi

BE: Të hapet tregu i punës për vendet e reja anëtare

Katër vjet pas hyrjes së grupit të vendeve të Evropës Lindore në BE dhe një vit pas pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë, Brukseli është i bindur se punëtorët e vendeve të Evropës Lindore nuk e detabilizojnë tregun e punës.

Sipas raportit të vlerësimit të tregut të punësimit të publikuar nga BE-ja, krahët e punës nga vendet e reja anëtare të Evropës Qendrore e Lindore nuk përbëjnë kërcënim për tregun e punës në vendet e vjetra anëtare dhe kanë dhënë kontribut të dukshëm për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në këto vende.

Komisionari i BE-së për punësimin, çështjet shoqërore dhe barazinë e shanseve Vladimir Spidla ka deklaruar, se vendet e vjetra anëtare duhet të heqin kufizimin e hyrjes së krahëve të punës në këto vende, gjë që ka rëndësi ekonomike dhe është në favor të zgjidhjes së problemeve shoqërore, si "puna e zezë".

Vetëm pesë për qind nga popullata aktive në Irlandë dhe 1,2 për qind e banorëve aktivë në Britaninë e Madhe vijnë nga Evropa Lindore. Bullgarët dhe rumunët më tepër e preferojnë Spanjën dhe Italinë.

Momentalisht vetëm Gjermania, Austria, Danimarka dhe Belgjika e kufizojnë qasjen në tregun e punës për punonjësit e valës së parë nga Evropa Lindore prej vitit 2004. Për Bullgarët dhe për rumunët këto kufizime ekzistojnë në 15 vende të BE-së. /Telegrafi/