Telegrafi

BE, SHBA e madje Dacici… kundër platformës serbe

Siç mëson ditorja “Blic”, qëndrimet e këtyre dy qendrave të politikës globale janë shumë negative dhe me këto qëndrime është i njoftuar edhe kreu i Serbisë.

“Pa komente. Qëndrimi ynë është i qartë dhe qëndron në konkluzionet e Këshillit të Evropës të 11 dhjetor”, ka thënë për "Blic" Maja Kocijancic, këshilltare për media e Përfaqësues së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Nga Ambasada amerikane në Beograd është thënë se “nuk mund të komentohet momentalisht platforma për Kosovën, e cila ende është çështje e diskutimit dhe ende nuk është publikuar si dokument zyrtar nga ana e Qeverisë së Serbisë”.

Siç mëson “Blic”, as Brukseli e as Washingtonit nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me ofertën e Beogradit, përderisa ajo akoma nuk është zyrtare. Njohësit e diplomacisë tërheqin vërejtjen se SHBA dhe BE pas konsultimeve do të dalin me qëndrim të përbashkët, ndërsa burimet e ditores serbe thonë se këto dy qendra do të ndikojnë tek partnerët e Serbisë që të ndryshojnë pjesët ku përmendet ushtria dhe policia. Meqë dihet se liderët dhe shtetet e BE-së kanë mbështetur dialogun mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, për implementimin e menaxhimit të integruar të kufirit dhe si prioritet kanë thënë se duhet transformohet struktura gjyqësore, ushtarake dhe policiore e Serbisë në veri të Kosovës, atëherë është e qartë se dokumenti i Nikolicit është në kundërshtim me parimet kryesore për të cilat angazhohet BE.

Është indikative për serbët se pse kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic – i cili në takimin e së dielës është pajtuar me të gjithë rreth platformës – dy ditë më vonë thotë se teksti nuk duhet të pamundësojë vazhdimin e dialogut, dhe se duhet të merret parasysh realiteti.

“Platforma nuk është ‘Shkrim i Shenjtë’… Nuk është qëllimi ynë që të sjellim dokumente që nuk do të realizohen”, ka thënë Dacici. /Telegrafi/