Telegrafi

BE-Rusi, të “dënuara” për kooperim

Madje mes të dyja palëve, siç njofton radio “Deutsche Welle”, pati grindje të hapura në lidhje me planet e BE-së për të kufizuar ndikimin e koncerneve të huaja të energjisë brenda BE-së. Këtë ide Rusia e konsideron si sulm të hapur kundër koncernit GAZPROM, i cili furnizon me gaz BE-në.

Në rast se u beson deklaratave të nëpunësve dhe të diplomatëve të lartë, atëhere në nivel pune bashkëpunimi mes Rusisë dhe BE-së funksionon mjaft mirë. Marrëdhëniet ekonomike janë vazhdimisht duke u zgjeruar, vëllimi tregtar po rritet me shpejtësi. Firmat evropiane investojnë në Rusi dhe rusët jo vetëm që e furnizojnë Evropën me energji, por kanë filluar edhe të investojnë në vendet e BE-së.

Bashkëpunimi funksionon si në projektet ndërkufitare, edhe në çështjen e regjimit të vizave, atë të tregtisë së çelikut apo në shumë çështje të tjera. Sipas palës ruse për të bashkëpunuar me sukses në rrafshin praktik nuk është patjetër e domosdoshme një marrëveshje partneriteti strategjik. Rusia është e interesuar më tepër për të bërë biznes, theksojnë përfaqësuesit rusë.

Problematike paraqitet gjendja në krerët politikë, ku besimi ndaj njëri-tjetrit është shndërruar vitet e fundit në mosbesim të mirëfilltë. Në këtë drejtim nuk solli asnjë përmirësim thelbësor as takimi i 20-të i nivelit të lartë mes BE-Rusisë në Mafra të Portugalisë. BE-ja e konsideron Vladimir Putinin më tepër si një car të ri, sesa si një drejtues demokrat shteti.

Politika e jashtme agresive e Putinit, kufizimi i lirisë së shtypit mungesat e shtetit ligjor ndeshin në moskuptim në radhët e politikanëve të BE-së. Si në çështjen e Kosovës, të Iranit, të Ukrainës, të sistemit të mbrojtjes ndaj raketave apo të marrëveshjeve për çarmatimin Putini është kundër mendimit dhe qëndrimeve të evropianëve. Këtë politikanët evropianë e quajnë të padrejtë, sepse mendojnë se i zgjasin vazhdimisht Rusisë dorën për kompromis. Presidenti Putin u prezantua verbalisht butë në Mafra dhe ftoi si shenjë të vullnetit të mirë vëzhguesit e OSBE-së për të monitoruar zgjedhjet e dhjetorit.

Moska e di se BE-ja është e varur prej naftës dhe gazit rus. BE-ja natyrisht që tërheq vëmendjen duke thënë se duke qenë importuesja më e madhe e naftës dhe gazit rus, është gjithashtu e rëndësishme për Rusinë. Varësia pra është reciproke dhe për këtë evropianët e konsiderojnë si mendjemadh qëndrimin e presidentit rus.

Nga ana tjetër shumë politikanë rusë nuk e kuptojnë BE-në, e cila sipas mendimit të tyre flet me shumë zëra dhe që nuk e respekton sa duhet sovranitetin e Rusisë. Si mund të zgjidhet kjo dilemë e moskuptimit reciprok?

Ka ardhur koha që BE-ja dhe Rusia t’i përcaktojnë qartë interesat e tyre. Eshtë e drejtë që BE-ja ka nevojë për Rusinë sa u përket një sërë çështjesh së politikës së jashtme, por edhe Rusia ka nevojë për BE-në si investitore dhe treg për prodhimet e saj. Rusia ka nevojë gjithashtu edhe për miratimin e vendeve të BE-së për të siguruar statusin e anëtarët të privilegjuar në OBT. Pra të dyja palët janë "të dënuara" të kooperojnë edhe në rast se e kanë të vështirë.

Për këtë është e domosdoshme që BE-ja të flasë me vendosmëri dhe të mos friksohet prej retorikës së ashpër të Moskës. Një prej këshilltarëve të Kremlinit u shpreh para disa kohësh: rusëve u pëlqejnë burrat e fortë dhe deklaratat e qarta. Në rast se BE-ja do të veprojë me forcë dhe me qartësi, atëherë Rusia do ta respektojë. /DW/