Telegrafi

BE nënshkruan Traktatin historik

Dokumenti, që u nënshkrua në një ceremoni në një manastir historik të qytetit, heq dhe të drejtën e vendosjes së vetos nga vendet anëtare në disa fusha.

Ai zëvendëson kushtetutën fatkeqe të BE-së, e cila u braktis pasi votuesit në Francë dhe Holandë votuan kundër saj në referendume.

Por traktati i Lisbonës përmban disa nga reformat kyçe që parashikoheshin në kushtetutë dhe disa prej qeverive të vendeve anëtare, për këtë arsye, janë vënë para presionit të kundërshtarëve në vendet e tyre.

Në një fjalim të mbajtur para nënshkrimit të traktatit, presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që ta përdornin traktatin për ta bërë lirinë, përparimin dhe solidaritetin, një realitet të përditshëm për të gjithë shtetasit e BE-së. "Nga ky kontinet i vjetër, ka lindur një Evropë e re", tha Barroso.

Kryeministri i Portugalisë, Jose Socrates, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së, tha se traktati do të krijonte një Bashkim Evropian më modern, më efikas dhe më demokratik. "Botës i duhet një Evropë më e fuqishme", tha Socrates.

Udhëheqësit nënshkruan pastaj me stilografë të posaçëm traktatin, të përkthyer në 23 gjuhët zyrtare të BE-së, ndërsa një kor këndoi "Ode gëzimit" të Bethovenit, që shërben, tanimë jozyrtarisht, si një himn i përbashkët për BE-së.

Traktati është një version i shkurtuar i kushtetutës evropiane, ka një emër më modest dhe në të nuk përmenden simbolet e BE-së, si flamuri dhe himni.

Ai synon të lehtësojë procesin e vendimmarrjes, duke hequr të drejton e vetos të vendeve anëtare në rreth 50 fusha të vendimmarrjes, duke përfshirë këtu dhe fusha të ndjeshme, siç janë rendi apo bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Traktati parashikon dhe krijimin e postit të shefit të BE-së për politikë të jashtme, i cili do të kontrollojë një buxhet të madh dhe do të ketë në vartësi mijëra diplomatë dhe zyrtarë të tjerë.

Ai parashikon dhe emërimin për një mandat deri në pesë vjet, të një presidenti të BE-së. /bbc/