Telegrafi

BE në kërkim të unitetit për Kosovën në samitin e Brukselit

Në këtë samit do të trajtohet kërkesa e Kosovës për pavarësi dhe mënyra e arritjes së saj pa dhunë.

Megjithatë, sipas AP-së, blloku i 27-shes evropiane ende mbetet i ndarë në qëndrimin nëse duhet ta njohë apo jo pavarësinë e Kosovës, e cila, që prej vitit 1999, ndodhet nën administrimin e Kombeve te Bashkuara, një mision sigurie ky qe ka nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve të BE-së.

Deri tani, vetëm Qiproja është kundërshtues i hapur ndaj pavarësisë së Kosovës si dhe i dërgimit të një misioni të BE-së kurse, vende të tjera si, Sllovakia, Greqia, Spanja dhe Rumania janë gjithashtu nën presion nga Britania, Franca dhe Gjermania për të vepruar së bashku me vendet e tjera për çështjen e Kosovës.

Sipas AP-së, këto katër vende druhen se pavarësia e Kosovës mund të inkurajonte lëvizjet separatiste në vende të tjera. “Ne takimin e nesërm, liderët e vendeve të BE-së nuk pritet të marrin ndonjë vendim për Kosovën, por ndërkaq do të diskutojnë propozimin e Sllovenisë se si vendet evropiane duhet të veprojnë për ta njohur statusin e Kosovës, nëse liderët e saj shpallin pavarësinë e njëanshme”, citon AP disa diplomatë, në kushte anonimiteti.