Telegrafi

BE ndihmon Kosovën në menaxhimin e pyjeve

Ekspertiza do të jetë e përqendruar në zhvillimin e rrjetit kombëtar të rrugëve pyjore, menaxhimit të parqeve kombëtare, si dhe në trajtimin e çështjeve të prerjes ilegale të drunjve dhe fillimin e përdorimit të bioenergjisë nga drunjtë. Projekti do të vendos standardet e BE-së për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë.

Melvin Asin, Zëvendësdrejtor i Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian tha se pyjet ofrojnë kushte jetese për punëtorët, ndërmarrësit dhe pronarët e pyjeve, si dhe kontribuojnë dukshëm në rritjen ekonomike.

Projekti pritet të stimuloj zhvillimin rural përmes përforcimit të sektorit pyjor dhe bujqësor, si dhe të punësimit në zonat rurale. Në të njëjtën kohë, projekti do të përkrahë përmirësimin e menaxhimit të zjarreve të pyjeve kombëtare, kafshëve të egra dhe menaxhimin e gjuetisë.
Ministri i Bujqësisë në largim, Blerand Stavileci, tha se projekti i Binjakëzimit, synon të shtoj kontributin dhe të rrisë aktivitetet e shumëllojshmërisë, për të gjeneruar mundësi punësimi nëpër zonat rurale dhe për të ndikuar në rritjen e aftësisë konkurruese. “Legjislacionin dhe strategjitë që kemi miratuar vitin e kaluar janë në koherencë me objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social e mjedisor dhe implementimi e zbatimi i tyre është duke e mundësuar një shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve pyjore, për përfitime shumëdimensionale nga ana e popullatës së Kosovës”, theksoi ministri Stavileci.

Zyrtarët lokal do të përfitojnë nga ekspertiza e Austrisë, Bullgarisë dhe Italisë. BE-ja financon këto aktivitete me 2.7 milionë euro.

Kosova ka rreth 41pwr qind të territorit të mbuluar me pyje dhe këto resurse janë të rëndësishme për furnizim të vendit me lëndë të parë dhe me bioenergji. Sektori pyjor ka rëndësi të madhe në përforcimin e ekonomisë së Kosovës. /Telegrafi/