Site icon Telegrafi

BE, Kosovës mbi 66 milionë euro

Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku ka nënshkruar Marrëveshjen Financiare vjetore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA).

Në emër të Bashkimit Evropian, kjo Marrëveshje është nënshkruar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Jean-Eric Paquet. Mbështetja financiare e këtij Programi në total është 66.050.000 euro.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve,nën programin vjetor të veprimit të IPA-s për Kosovën, do të mbështeten sektorët në vijim: Demokracia dhe Qeverisja, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, Energjia, Konkurrueshmëria dhe Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Projektet e parapara të mbështeten me këtë Program, do të fillojnë së zbatuari në fillim të vitit 2016.

Sa i përket demokracisë dhe qeverisjes, fokus i veçantë do t’i kushtohet përpjekjeve për përmirësimin e administratës publike në Kosovë, me qëllim që t’i mundësohet asaj transpozimi, aplikimi dhe zbatimi i acquis të BE-së, veçanërisht në fushat e mbuluara nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Programi do të mbështesë gjithashtu shoqërinë civile në ngritjen e efikasitetit dhe në pjesëmarrjes së tyre në procesin e politik-bërjes. Gjithashtu, Programi do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 17 300 000 euro.

Sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore do të adresohen sfidat në tri nën-sektorë: në nën-sektorin e “drejtësisë” fokusi do të jetë në fuqizimin e arsimimit ligjor për ngritjen e nivelit të profesionalizimit, llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor. Sa i përket punëve të brendshme, fokusi do të jetë në fuqizimin e strukturave që merren me politikat e migracionit në Kosovë dhe në fuqizimin e institucioneve që luftojnë trafikimin me qenie njerëzore.

Ndërsa, sa i përket të drejtave themelore dhe minoriteteve, fokusi do të jetë në përmirësimin e respektimit të drejtave të njeriut, duke mbështetur përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të cenueshme dhe lehtësimin e dislokimin e familjeve të zhvendosura nga qendrat kolektive. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 4 000 000 euro.

Veprimet në sektorin e energjisë do të fokusohen kryesisht në zbatimin e legjislacionit që transpozon Pakon e Tretë për Energji si dhe në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe përmirësimin e efiçiencës së sektorit të energjisë në Kosovë. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 5 500 000 euro.

Sa i përket konkurrueshmërisë dhe inovacionit, programi do të ndihmojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat në Kosovë, në veçanti përmes përmirësimit të infrastrukturës komunale dhe mbështetjes së ndërmarrësve përmes programit për zhvillim rajonal. Shuma financiare e ndarë për ketë sektor është 12 150 000 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version