Telegrafi

BE-ja përkrahë mbylljen e kampit Osterode

Katërmbëdhjetë familjet e mbetura janë lëvizur në shtëpitë e reja të ndërtuara dhe në një bllok me banesa sociale, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Me këtë edhe arrihet numri i përgjithshëm i familjeve të rivendosura nga kampet e kontaminuara me plumb në veri të Mitrovicës në 148. Kampi tjetër, Cesmin Lug, është mbyllur në tetor të vitit 2010.

Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së me këtë rast tha “Jam i kënaqur se kemi mundur ta ndihmojmë këtë proces për familjet të cilat kanë jetuar në kushte shumë të vështira. Avancimi erdhi vetëm kur autoritetet komunale të Mitrovicës ia kanë ndarë familjeve tokën publike. Do të dëshiroja t’i inkurajoj autoritetet që t’i shtojnë përpjekjet e tyre më tej për të mundësuar një shoqëri gjithëpërfshirëse në Kosovë duke i respektuar të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”.

Radojica Tomic, Ministër i Komuniteteve dhe Kthimit tha se ngjarja e sotme tregon përkushtimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, si dhe e BE-së si donatore kryesore e veprimit, për të bërë maksimumin në ofrimin e kushteve të mira të jetës për komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, e që është parakushti kryesor për përfshirjen e tyre në shoqërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Habib Haradinaj, udhëheqës i komuniteteve tha “Suksesi të cilin po e shënojmë sot është rezultat i koordinimit të ngushtë të të gjithë neve. Sot, këto familje në Mitrovicë kanë shtëpi të përshtatshme. Fëmijët e prekur nga plumbi po i nënshtrohen trajtimit mjekësor dhe shumica e tyre e vijojnë mësimin. Ne kemi liri të lëvizjes dhe raporte të mira me të gjitha komunitetet që jetojnë në Mitrovicë”.

Raundi i fundit i shtëpive të ndërtuara dhe i bllokut të banesave sociale janë pjesë e projektit të financuar nga BE-ja në vlerë prej 5 milion euro. /Telegrafi/