Telegrafi

BE-ja kritikon përmbajtjen e Ligjit për investime strategjike

Zyra e BE-së në Kosovë i ka dhënë vërejtje serioze idesë për hartimin e një ligji për tërheqjen e investimeve strategjike pa iu nënshtruar proceseve tenderuese.

Ky ligj, që është në fazën fillestare të hartimit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ishte iniciuar për t’iu shmangur procedurave burokratike dhe tenderëve për tërheqjen e investimeve strategjike. Burimet e “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se BE-ja e ka kundërshtuar përmbajtjen thelbësore të këtij ligji.

Kundërshtimi i BE-së për këtë ligj lidhet me parimet e BE-së për konkurrencë të drejtë dhe mosdiskriminim të kompanive. Të dy këto parime të BE-së bien ndesh me qëllimin e hartimit të këtij projektligji për eliminimin e tenderëve. Hapja e tenderëve për të siguruar konkurrencë në projekte madhore ka dështuar disa herë në Kosovë për shkak të zvarritjes dhe tërheqjes së investitorëve. E mosdiskriminimi lidhet me dhënien e mundësisë të gjitha kompanive për të marrë pjesë në një privatizim apo një projekt të iniciuar nga shteti.

Burimet e gazetës brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se këto vërejtje janë dhënë gjatë diskutimeve me BE-në për këtë ligj dhe se ende nuk ka vërejtje në formë të shkruar, meqë nuk është finalizuar drafti i këtij ligji, shkruan Koha Ditore.

Qeveria e Kosovës planifikon t’i përdorë praktikat e vendeve të rajonit dhe sidomos të Kroacisë për të shtyrë përpara një draft që i mundëson asaj t’i tërheqë investimet strategjike. /Telegrafi/