Telegrafi

BE-ja ka mbi 24 milionë të papunë

Papunësia e 1/4 të të rinjve në vendet anëtare të BE, i detyroi krerët e vendeve evropiane që për tretën herë të mblidhen në një takim në Itali. Krerët e vendeve të BE u mblodhën në Milano të Italisë për të diskutuar mbi gjendjen ekonomike dhe mbi rrugët që duhet ndjekur për uljen e papunësisë së të rinjve.

Më parë në Berlin dhe Paris ishin organizuar takime të ngjashme. Kryetari i PE-së Martin Shultz, në takimin e krerëve të BE në Milano, deklaroi se gjendja e punësimit në Evropë është e rëndë dhe papunësia në radhët e të rinjve vazhdon të jetë një nga problemet më kryesore dhe më të dhimbshme për Evropën, raportojnë mediat italiane.

Kryetari i PE-së tha se parlamenti evropian së bashku me Komisionin evropian do të ndërmarrin plane dhe programe të qarta për tu përballur me papunësinë e të rinjve brenda buxhetit të përcaktuar nga vendet e BE.

Martin Shultz e cilësoi tepër të dobishëm takimin e krerëve të PE dhe të kryetarëve të KiE dhe theksoi se planet e propozuara nga kryetari i ardhshëm i KiE Zhan Klod Junker, janë të mirëpritura, por për realizimin janë të nevojshme edhe investimet e sektorit privat.

Nga ana e tij presidenti francez Fransua Holond, duke folur për nivelin e papunësisë në radhët e të rinjve në disa vende të BE e cilësoi të papranueshëm dhe rritjen ekonomike në mbarë Evropën e vlerësoi shumë të ulët.

Ai duke folur mbi fondin prej 6 miliard euro për të ndihmuar në punësimin e të rinjve, tha se Franca dhe Italia kanë bërë punë të mirë në këtë drejtim, por disa vende të BE nuk kanë buxhetin e nevojshëm për të ndihmuar në punësimin e të rinjve.

Mbi 40 për qind e të rinjve në vendet si Spanja, Italia dhe Greqia janë të papunë, ndërsa në Francë niveli i papunësisë tek të rinjë është 23 për qind. Vitin e kaluar, Brukseli miratoi një fond prej 6 miliard euro për të ndihmuar punësimin e të rinjve nën moshën 25 vjeç dhe ky buxhet deri në vitin 2020 do të shtohet në 20 miliard euro.

Ulja e nivelit të papunësisë është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për kryeministrin italian Mateo Renzi i cili erdhi në pushtet me premtime të shumta për përmirësimin e gjendjes ekonomike të Italisë.

Sipas statistikave mbi 44 për qind e të rinjve italianë nën moshën 25 vjeç janë të papunë. /Telegrafi/