Telegrafi

BE do ta mbështesë MTI-në

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim Përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ministrja e falënderoi Zhbogarin për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në Kosovë. Ajo, falënderoi BE-në për përkrahje në përmirësimin e shumë sektorëve nën përgjegjësinë e MTI-së.

Ministrja Bajrami e informoi përfaqësuesin e BE-së me prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë përfshirë përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat, përmirësimin e klimës së biznesit dhe heqjen e pengesave për bizneset, përmirësimin e lëvizjes sё lirë të mallrave dhe rregullimin e tregut të brendshëm.

Samule Zhbogar e uroi ministren Bajrami për postin e ri. Ai konfirmoi mbështetjen e BE-së për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes projekteve specifike të IPA-së të cilat fokusohen në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e më shumë investimeve të huaja. Ai shtoi, se BE-ja është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare, për të shtuar kapacitetin e tyre administrativ në mënyrë që të zhvillojë politika sa më të mira tregtare.

Ministrja Bajrami dhe Zhbogar, gjithashtu diskutuan për zotimet e ministrisë në përgatitjen e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, negociatave për shërbime në CEFTA, riaktivizimin e Këshillit Nacional për Zhvillim Ekonomik. Ata u pajtuan për të shkuar tutje me projektet e rëndësishme të mbështetura nga BE-ja, të cilat kanë interes ekonomik për Kosovën. /Telegrafi/