Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP në Shqipëri, Limya Eltayeb, vizituan sot kantieret e tre shkollave në Laknas dhe Durrës të rindërtuara falë programit EU4Schools me vlerë 75 milionë euro të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.
Duke filluar nga java e ardhshme, më shumë se 150 fëmijë dhe mësuesit e tyre do të kthehen në klasat e reja të kopshtit “1 Qershori”, të rindërtuara në standardet më të mira evropiane, me mjedise të reja moderne dhe infrastrukturë të qëndrueshme.
300 fëmijë të tjerë do të kenë mjedise të reja në shkollën “Dom Nikoll Kaçorri” dhe kopshtin e saj në Laknas që nga qershori 2021.
“Për të ndërtuar më mirë dhe për të ndërtuar së bashku, ne morëm pak kohë për të diskutuar me komunitetin lokal përpara se të fillojmë rindërtimin, në mënyrë që shkollat të përshtaten në mënyrë të përkryer me nevojat dhe pritshmëritë e tyre”, tha Soreca.
“Sot, unë jam i gëzuar kur dëgjoj nga mësuesit dhe veçanërisht nga fëmijët që takova këtu se ky është kopshti që ata po ëndërronin”, tha ambasadori Soreca gjatë vizitës së tij në kopshtin “1 Qershori” në Durrës./atsh