Site icon Telegrafi

BE deri më 2020 mbështet Kosovën me 645.5 milionë euro

Bashkimi Europian (BE), deri më 2020 do të mbështesë përpjekjet për reforma në Kosovë me 645.5 milionë euro. Ndërsa për sivjet ka ndarë 83.8 milionë euro, në vitet 2018-2020 ato do të arrijnë në 295.2 milionë euro.

Këto shifra u bënë publike sot nga Komisioni Europian, i cili sot tha se BE-ja do të mbështesë përpjekjet për reforma në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi për 7 vitet e ardhshme me mbi 11 miliardë euro. Nga këto Kosova do të përfitojë 645.5 milionë, kurse Shqipëria 649.5 milionë euro.

Sipas këtij plani financimi, fondet nga viti në vit do të vijnë duke u shtuar për të gjitha vendet, thuajse në të njëjtat shifra.

Komisioneri Evropian për Zgjerim Stefan Fule, e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë për të gjithë vendet e rajonin që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, në zbatimin e reformave që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe në krijimin e urave lidhëse mes vendeve të Ballkanit.

“Ky financim është një lajm shumë i mirë për rajonin. Kjo do tu ofrojë mbështetje atyre vendeve me një perspektivë evropiane për zbatimin e reformave që do të ndikojnë drejtpërdrejt qytetarët, të ndihmojë ata të ecin përpara në rrugën e tyre për BE-në dhe për të ndërtuar ura lidhëse me fqinjët e tyre”, tha Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Stefan Fule. /Koha.net/Telegrafi/

Exit mobile version