Telegrafi

BDI: Veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan

BDI-ja opozitare ka reaguar sërish në lidhje me vetingun. Nga atje thonë se partitë që përbëjnë qeverinë monoetnike janë të frikësuar nga kërkesa e tyre, për inicimin e vetingut i cili do të monitorohet nga ndërkombëtarët.

BDI shtoi se përderisa partitë politike nuk e përkrahin një iniciativë të tillë, janë mashtrues që përpiqen të vjedhin popullin.

“Merrni guximin për të filluar veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan. Ditët kalojnë, dhe partitë nga qeveria monoetnike, të frikësuara nga kërkesa e BDI-së për të iniciuar një veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan në 30 vitet e fundit, përfshi edhe procesin e privatizimit, kanë mbetur të heshtura dhe po përpiqen të devijojnë temën me kumtesa boshe. Ejani, menjëherë të fillojmë që secili nga politikanët të paraqesë pasurinë dhe të kaluarën e tij para një komisioni ndërkombëtar të monitorimit për veting”, shtojnë nga BDI.

Nga BDI, në fund kanë nënvizuar se derisa nuk e bënë këtë qeveria, janë vetëm mashtrues që përpiqen të vjedhin popullin nën sloganin “kapeni hajnin”.