Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përshëndet zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit te Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, duke e konsideruar ”si hap të parë dhe të domosdoshëm për vënien në funkcion të sistemit legjislativ në vend dhe formimin e qeverisë së re reformuese.”
Në kumtesën e kësaj partie mes tjerash thuhet se ”BDI dënon dhunën e ushtruar mbi deputetët e zgjedhur nga një turmë e shfrenuar dhe shtron pyetjen ku ishin institucionet përkatëse për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, andaj kërkojmë që të merren masat përkatëse kundër të gjithë atyre që dështuan në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare përfshi këtu edhe ata zyrtar nga radhët e MPB-së, në zinxhirin e komandës që refuzuan urdhërat e ministrit të Punëve të Bbrendshme.
Kërkojmë nga të gjitha palët, përfshirë edhe OBRM-PDUKM-në të kontribuojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të dënojnë zëshëm e pamëdyshje aktet e dhunshme e të përgjakshme në hapësirat e organit më të lartë të pushtetit.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe veçmas shqiptarëve dhe elektoratit besnik të BDI-së që të jenë të matur dhe të ruajnë gjakftohtësinë, të mos bëhen pre e këtyre akteve qyqare në parlament.
Poashtu shprehim indinjatën tonë edhe me veprimet e lexueshme të disa deputetëve që me sjelljen e tyre në stilin, provoko, nxit dhe ik, bën që zhvillimet e mbrëmshme të përshkallzohen edhe më.
Kryesia e BDI-së solidarizohet me të gjithë deputetët që pësuan, veçmas urojmë që Ziadin Sela të rikthehet sa më parë ne jetën parlamentare e politike”, thuhet në kumtesën e BDI-së./Telegrafi/