BDI do të heqë dorë nga mënyra se si zyrtarët e saj e kanë financuar partinë. Institucionet shtetërore nuk do të jenë më donatorë. Kjo do të ndodhë pas miratimit të amendamenteve të Ligjit për Financimin e Partive Politike, të cilat zhvillohen në mënyrë intensive në nivel të grupeve punuese. Qëllimi është parandalimi i të gjitha abuzimeve dhe mënyra e financimit që është burimi kryesor i korrupsionit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në raportin më të fundit nga Zyra e Revizionit Shtetëror, donatorët më të mëdhenj të BDI-së janë Posta e Maqedonisë, Fondi për Pension dhe Sigurim Invalidor, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, SHA Aerodrom, Komuna e Likovës, Qendra Studentore Pellagonia, Hekurudhat e Maqedonisë.
Nga partia thonë se këto kanë qenë nga të ardhurat e zyrtarëve të tyre që kanë qenë të punësuar nëpër institucione ndërsa paratë janë transferuar në vlerën e 5 për qind të rrogës së tyre. Ndryshimet ligjore duhet të dërgojnë në financimin transparent dhe parandalimin e çdo abuzimi. /Telegrafi/