Site icon Telegrafi

BDI: Shkupi po ngulfatet nga ndotja, teksa kjo qeveri po injoron thirrjet urgjente për veprim

“Në kohën kur Shkupi është një nga qytetet më të ndotura në botë, qytetarët tanë përballen me një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën nga ajri që thithin çdo ditë.  Kjo ndotje e pamëshirshme po i vret qytetarët në heshtje, duke e kthyer çdo frymëmarrje në helm për shëndetin e tyre”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.

“Ndërsa spitalet po mbushen me qytetarë që ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe probleme shëndetësore që lidhen me ndotjen, ministri i paligjshëm i mjedisit vazhdon të ndjekë interesat e tij private në biznesin e kazinove dhe shumë të tjera. Ky ministër i zgjedhur jo nga qytetarët përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por në mbledhjet e OBRM-PDUKM-së, është simbol i një pushteti të papërgjegjshëm që nuk kujdeset për mirëqenien e qytetarëve, por për interesat personale të një grup i ngushtë.

Sikur të mos mjaftonte që fëmijët tanë po humbasin jetën nëpër klinika nga keqmenaxhimi, ndërsa kostoja e jetesës po rritet në nivele të padurueshme për shumë familje, tashmë çdo frymë e qytetarëve është një akt që rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre. E gjithë kjo po ndodh sepse kjo qeveri ka dështuar vazhdimisht në marrjen e masave efektive kundër ndotjes, sigurimin e ajrit të pastër dhe mbrojtjen e mjedisit.

Faktet janë të qarta: një qeveri që nuk arrin të mbrojë të drejtën e qytetarëve për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm nuk mund të konsiderohet as legjitime dhe as kompetente. Ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e ndotjes, duke paguar çmimin më të lartë – shëndetin dhe jetën e tyre – kjo qeveri mbetet indiferente, duke injoruar thirrjet urgjente për veprim.

BDI bën thirrje për masa urgjente dhe të shpejta nga organet kompetente për përballimin e kësaj krize shëndetësore dhe mjedisore. Qytetarët e vendit meritojnë ajër të pastër, mbrojtje nga ndotja dhe një qeveri që i mbron dhe kujdeset për ta, jo një qeveri që i lë në mëshirë të rrethanave”, thonë nga BDI.

Exit mobile version