Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka filluar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga Prespa, aty edhe ku është nënshkruar marrëveshja e Prespës, njofton Telegrafi Maqedoni.
Naser Ziberi është kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoni.
Ziberi më herët ka qenë zyrtar shtetëror me partinë politike PPD, në vitet e 90-ta.
Ahmeti, kryetari i BDI-së ka thënë se me këtë propozim shqiptarët nuk janë vetëm qiraxhinj por edhe zot të shtëpisë në Maqedoni.
Ziberi ka thënë se kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë.
Ziberi me profesion është jurist dhe ka qenë ministër i Ministrisë për Punë dhe politikë sociale në Maqedoni. Ai është lindur në vitin 1961 në Llaskarcë të Shkupit dhe jeton në Shkup. Në periudhat 1991-1994 dhe 1998-2002 ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë. /Telegrafi/