Telegrafi

BDI: Procesi arsimor duhet të rifillojë të hënën, pagat do të rriten

BDI përmes një komunikate njoftojnë se që nga viti 2017 deri tani kanë rritur pagën e mësimdhënësve për 21%.

“Të njëjtën politikë progresive jemi të vendosur ta ndjekim në vazhdimësi, prandaj duke përcjellur rrethanat e fundit të grevës së punonjësve të arsimit shprehim qartësisht qëndrimin se rritje të pagave në arsim do të ketë dhe zgjidhjen e duhur për këtë do ta gjejmë përmes dialogut”, thonë nga BDI.

Sipas tyre, e drejta e grevës është e garantaur me ligj, por, siç thonë nga BDI, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka mbarëvajtja e pandërprerë dhe cilësore procesit edukativo – arsimor për ardhmërinë e fëmijëve, BDI apelon për konstruktivitet nga ana e SASHK për ndërprerje të grevës, rifillim të mësimdhënies nëpër shkollat e vendit duke filluar që nga dita e hënë dhe më pas vazhdim intenziv të dialogut përmes së cilit padyshim se do të gjendjet zgjidhja e duhur.

“Çdo prolongim i mëtejshëm i rrjedhës normale të mësimdhënies shkon në dëm të nxënësve dhe ardhmërisë së tyre në rrugën e dijes, rrezikohet matura shtetërore si dhe dhënia e provimit profesional për pesëqind mësues, gjë të cilën nuk duhet ta lejojmë pas gjithë atyre sfidave që bashkërisht i tejkaluam me sukses në periudhën e pandemisë. BDI shpreh shqetësim për tentativat për rrëmbimin e protestës nga ana e partive politike opozitare dhe nxitjen e papërgjegjeshme të krizës të cilën e ndjejnë të gjithë qytetarët. Si subjekt politik pjesë e Qeverisë, BDI garanton angazhim maksimal për realizimin e mëtejshëm të politikave të përmirësimit të standardit ekonomik të të gjithë qytetarëve me të njëjtën qasje ashtu siç u rritën paga minimale dhe ajo mesatare”, thuhet në njoftimin e BDI-së./Telegrafi/