Telegrafi

BDI prezanton propozim-programin për zgjedhjet lokale në Gostivar

Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë në zyrën e degës së Gostivarit e prezantoi propozim-programin dhe kandidatin për kryetar të komunës së Gostivarit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në konferencën për shtyp, kryetari aktual dhe kandidati për mandat të sërishëm, Nevzat Bejta i theksoi projektet kryesore që pritet të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme, por siç tha ai, programi nuk është i përfunduar dhe do të shtohen propozime të reja nga qytetarët.

“Kam nderin që përsëri të hyj në garë për kryetar, për ta ndërtuar Gostivarin e së ardhmes. Kampanja ende nuk ka filluar, por ne e prezantojmë këtë propozim-program, të cilin do ta plotësojmë ditëve në vijim me sugjerime nga qytetarët”, tha Bejta, duke emëruar disa nga projekte kapitale.

BDI në komunën e Gostivarit në katër vitet e ardhshme paralajmëron ndërtimin e sheshit të ri në Gostivar, urë të re të lumit Vardar, zona të lira ekonomike, transport publik, muze të qytetit dhe të tjera./Telegrafi/