Telegrafi

BDI: OBRM-PDUKM dhe Mickoski përkrahin deklaratat për luftë ndëretnike

BDI sërish e ka akuzuar OBRM-PDUKM-në dhe kryetarin e saj Hristijan Mickoski, se përkrahin nxitjen e luftës ndëretnike.

“Edhe për të dytën ditë radhazi pas deklaratave skandaloze të Aleksandar Nikollovskit në të cilat ai bën thirrje për luftë në mes të Kuvendit, ngjashëm edhe me narrativin e 27 prillit, as Mickoski dhe as VMRO DPMNE nuk u distancuan nga ato kërcënime. Nikollovski inkurajohet nga lideri i tij Mickoski, i cili publikon foto të një betimi me uniformë të maskuar, me kallashnikov të zbrazur në duar dhe i rrethuar nga fëmijë dhe gra, në të cilën ai demonstron kërcënime ndaj shqiptarëve”.

“Mickoski ende nuk është përgjigjur nëse ka të vërtetë në pohimet e kryetarëve të tij të komunave se ai në mënyrë strikte ua ka ndaluar atyre që të legalizojnë shtëpitë e shqiptarëve në ato komuna edhe pse i plotësojnë kushtet ligjore, se i ka ndaluar të bashkëpunojnë me afaristë shqiptarë dhe të mos lëshojnë leje të ndërtimit, me nxitje të politikave demografike raciste”, thonë nga BDI.

Gjithashtu thonë se “gara e tyre e vdekur me ‘Të majtën’ e Apasievit nxit intolerancën etnike, të cilën e shohim dhe e dëgjojmë çdo ditë në emisionet kontaktuese të televizioneve maqedonase dhe është pasojë e drejtpërdrejtë e narrativit dhe fotografive të Mickoskit, Nikolloskit dhe Apasievit”.