Telegrafi

BDI: Nuk është koha për zgjedhje

Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e sotme i shqyrtoi gjendjet aktuale të shkaktuara pas mbajtjes së referendumit konsultativ për hyrje të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes së Prespës dhe i solli përfundimet në vijim, kumtoi BDI.

Në referendum dolën më shumë se 650 mijë qytetarë, nga ku mbi 90%, apo 310 mijë qytetarët u deklaruan pozitivisht, me çka qartësisht e shfaq vullnetin e qytetarëve për hyrjen e vendit në NATO dhe BE dhe për pranimin e marrëveshjes së Prespës.

“Marrëveshja e nënshkruar dhe e ratifikuar paraqet obligim ndërkombëtar për shtetin, dhe në këtë drejtim i përshëndet mesazhet e dërguara nga miqtë ndërkombëtar, para se gjithash nga ShBA-të, Bashkimi Evropian, vendet anëtare në BE, ku qartësisht dhe padyshim bënin thirrje që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të ndërmerr obligimin për zbatimin dhe marrëveshjes së Prespës”, kumtojnë nga BDI.

Duke marrë parasysh këto përfundime, kryesia qendrore e BDI-së vendosi se për momentin prioritet për shtetin është gjetja e zgjidhjes ku do të zbatohet marrëveshja e Prespës në Kuvend, duke ju bërë thirrje partive politike të punojnë në krijimin e kushteve për zbatimin e marrëveshjes.

BDI-ja konsideron se për momentin nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me çka do të shembet dinamike e implementimit të marrëveshjes së Prespës, e cila do të mund të sjell deri në bllokim serioz të procesve integruese të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE./Telegrafi/