Site icon Telegrafi

BDI: Kërkojmë ndërhyrjen e NATO-s për spastrimin e shqiptarëve nga strukturat komanduese të URMV-së

BDI sot ka reaguar ndaj vendimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova për zhvendosjen e gjeneralit Besnik Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve. Për këtë veprim BDI kërkon edhe ndërhyrjen e NATO-s.

BDI shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën lidhur me vendimet e fundit të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova për ndryshimet në strukturat komanduese të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Zhvendosja e gjeneralit Besnik Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve—një pozicion kyç që mbulon rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë—drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën një goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri.

Kjo lëvizje dobëson strukturën komanduese të ushtrisë dhe rrezikon sigurinë kombëtare.​
Për më tepër, emërimi i kolonel Lulzim Nuredini në pozitën e Komandantit të Komandës për Trajnim dhe Doktrinë, duket si një përpjekje për të maskuar këtë padrejtësi.

Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike.​

Përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes Paqësore të Ohrit, të cilat janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive”, thonë nga BDI.

BDI i bën thirrje urgjente NATO-s dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të shqyrtojnë me kujdes këto veprime, të cilat jo vetëm shkelin parimet e përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu komprometojnë gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e forcave tona të armatosura.​/Telegrafi/

Exit mobile version