Telegrafi

BDI: Heshtja e Mickoskit ndaj luftënxitjes së Nikollovskit, aprovim i orientimit antishqiptar të OBRM-PDUKM-së

BDI ka reaguar akuzuar kryetarin e OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, për heshtje ndaj deklaratave të bashkëpartiakut të tij, Aleksandar Nikollovski. Nga BDI thonë se “heshtja e Mickoskit është aprovim i sërishëm publik i orientimit antishqiptar të OBRM-PDUKM-së dhe demaskim i plotë i qëllimeve të tyre strategjike për acarimin e marrëdhënieve ndëretnike”.

“Mesa duket fotografia e liderit të tij, Mickoski me kallashnikov në duar ka frymëzuar Nikollovskin që të përdorë retorikë të urrejtjes ndaj bashkëqytetarëve të tij shqiptar, fjalor i papranueshëm dhe skandaloz për një politikan të kohës së sotme”.

“Këtë periudhë opinioni ka qenë dëshmitar i një vargu të veprimeve antishqiptare nga OBRM-PDUKM, duke filluar nga shpifjet e akuzat pa fakte për udhëheqësit e politikës shqiptare në vend, politikat raciste lokale të bojkotimit të shqiptarëve, për të arritur tashmë deri te tashmë kërcënimet direkte me luftë dhe prishje të rendit publik”.

“OBRM-PDUKM-ja, Levica, të gjithë bashkëpunëtorët e tyre dhe ata shqiptarë që janë vendosur në shërbim të këtyre agjendave, duhet ta dijnë se veprimet e këtilla nuk kalojnë, asnjëherë nuk do të mund ta defokusojnë opinionin dhe vendin nga fryma europiane me gënjeshtra e mashtrime që janë doktrinë e dëshmuar dhe mirë e demaskuar edhe me vendime gjyqësore për krim dhe korrupsion”, thonë nga BDI.

Në fund shtojnë se ata “nuk do të lejojnë prishjen e marrëdhënieve të mira ndëretnike të ndërtuara me shumë investim politik vendor dhe ndërkombëtar”.