Telegrafi

BDI festoi me plumba në ajër, MPB asnjë reagim (Video)

Mbështetësit e Visar Ganiut në Çair, mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” kanë shkrepur plumba në ajër, për të festuar fitoren e kandidatit të tyre.

Para qytetarëve ka folur edhe zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili tha se me fitoren e Ganiut është vërtetuar se Çairi është bastion i BDI-së. Ndërsa Ganiu i falënderoi ata që kanë votuar dhe organizimin që kanë bërë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

TV Telma njofton se edhe përkrah pranisë së forcave policore, disa qytetarë kanë shkrepur me armë.

Nga video e publikuar shihet se para fjalimit të Ganiut një qytetarë, i pandërprerë nga askush shtien me armë në ajër.

Festë e tillë mbrëmë u pa edhe në Komunën e Sarajit, ku gjithashtu kanë festuar simpatizantët e BDI-së, ndërsa ajo që vërehet është se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka marrë asnjë hap për parandalimin e festave të tilla, të cilat mund të përfundojnë me fatkeqësi./Telegrafi/

Festën e BDI-së në Çair të publikuar nga TV Telma mund ta ndiqni këtu, ndërsa më poshtë keni pamje tjera nga festa e BDI-së.