Telegrafi

BDI e nënshkruan “impiçmentin” për Ivanov

Iniciativa e LSDM opozitare për “impiçment” të presidentit Gjorgje Ivanov për shkak të vendimit të tij për falje të 56 politikanëve dhe funksionarëve, mbrëmë edhe formalisht morri përkrahje nga partia e Ali Ahmetit. Nënshkrimin e tyre në iniciativë e kanë vënë 16 nga gjithsej 19 deputetët e BDI. Sipas kësaj, prapa iniciativës për ngritje të procedurës për përcaktim të përgjegjësisë së shefit të shtetit qëndrojnë 53 deputetë. Iniciativën e kanë nënshkruar edhe tre deputetet e pavarura si dhe kryetarët e DOM dhe LD, Liljana Popovska dhe Pavle trajanov, por edhe deputeti i Unitetit, Zulfi Adili. Nga PDSH as mbrëmë nuk u përgjigjën nëse do ti bashkëngjiten iniciativës së kolegëve nga LSDM dhe BDI për përgjegjësi të Ivanovit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Të gjithë deputetët u nënshkruan në iniciativën për “impiçment” të Ivanovit, përveç liderit Ali Ahmeti, deputetët Hazbi Lika dhe Artan Grubi, të cilët janë të zënë me aktivitete partiake, deklaroi Talat Xhaferi, shefi i grupit parlamentar të BDI.

LSDM gjatë dorëzimit të iniciativës ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski ta mbledh Kuvendin për kërkim të përgjegjësisë nga presidenti Ivanov. Ai u përgjigj se me shpërbërjen e Kuvendit, kryetari i Kuvendit nuk ka mundësi Kushtetuese, ligjore dhe me rregullore, të thërret seancë parlamentare./Telegrafi/