Rreth 40 mijë mërgimtarë, dy të tretat e të cilëve janë shqiptarë, nëse do të duan të votojnë do të duhet dy herë të vijnë në vendlindje, një herë për tu paraqitur në listën e votuesve dhe një herë për të votuar, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Siç ka informuar TV Shenja, përfaqësuesit e dy partive shqiptare pjesëmarrëse në bisedimet që zhvillohen në Përzhino, BDI dhe PDSH kanë lëshuar pe dhe kanë pranuar të fshihen 40 mijë mërgimtarë nga lista e votuesve nëse të njëjtit nuk paraqiten për regjistrim.
Siç njoftoi ditë më parë vetë Artan Grubi përfaqësues i BDI në bisedime, 65% e këtyre votuesve janë shqiptarë dhe në të njëjtën ditë ai u zotua se nuk do të pranojnë të fshihet asnjë qytetar që plotëson kushtet nga lista e votuesve.
Sipas burimeve jozyrtare brenda grupit punues, katër partitë janë pajtuar që për këtë kategori të ketë dy afate për paraqitje, afati i parë prej 30 ditëve dhe afati i dytë i rregullt prej 20 ditëve gjatë shqyrtimit publik të listës së votuesve.
Nëse në këto dy afate nuk paraqiten atëherë do të fshihen nga lista e votuesve. BDI dhe PDSH kanë pranuar po ashtu që 170 mijë mërgimtarë të tjerë ku gjithashtu shumica thuhet të jenë shqiptarë, të barten në listën plotësuese të votuesve./Telegrafi/