Zgjedhjet në Maqedoni kaluan jo me pak vëmendje edhe jashtë kufijve “shqiptaro- shqiptar”. Akuzat dhe kundërakuzat ndërmjet subjekteve politike u fashitën sapo u shpallën rezultatet zyrtare. VMRO-DPMNE dhe BDI u rikonfirmuan si parti të para. Por, derisa në taborin maqedonas partia më e madhe opozitare, LSDM, e indinjuar me procesin zgjedhor vendosi mos t’i pranojë rezultatet dhe më pas edhe t’i dorëzojë mandatet, në korpusin shqiptar nisi beteja se cila parti shqiptare do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në, me të njëjtën parti që gjatë fushatës parazgjedhore liderët shqiptarë në Maqedoni e shpallen si antishqiptare, jo evropiane… thuajse burim dhe përgjegjëse të të gjitha këqijave ndërmjet etniteteve në Maqedoni.
Parashenjat se dy partitë shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, filluan të vërehen që me thirrjet për bojkotim të zgjedhjeve presidenciale ose mbështetje të VMRO-DPMNE-së, gjë që ia dha fitoren e sigurt kandidatit të partisë së Nikolla Gruevskit. Ato u gjetën të papërgatitura edhe kur kryeministri Nikolla Gruevski ua tha troç se shpeshherë partia e tij është satanizuar në mesin e popullatës shqiptare, se i urrejnë shqiptarët dhe se këto thirrje vinin nga parti etnike shqiptare të cilave u duhej ta arsyetonin punën e tyre të pamjaftueshme dhe premtimet e papërmbushura të cilat paraprakisht e dinin se nuk do të mund t’i përmbushnin.
Pavarësisë sinqeritetit ose tendencës së këtij deklarimi, lideri i partisë që dikur kërkonte “dhoma gazi” për shqiptarët dhe brohoriste parulla “se shqiptar i mirë, është vetëm shqiptari i vdekur”, dëshmonte superioritetin e tij ndaj partive të sotshme shqiptare.
I vetëdijshëm se është i pakonkurrencë në mesin e partive maqedonase, Gruevski i cili në këto zgjedhje arriti të grumbullojë plot 61 mandate, dëshmoi se e ka kuptuar prej moti se përballë tij ndodhen parti shqiptare që qëllim të vetëm e kanë bashkëqeverisjen me të. Andaj, si politikan dinak, ai shpalosi një strategji të re, pasi që “parimi i Badenterit” në të kaluarën ishte dëshmuar si rregull i patejkalueshëm, ai ofroi mundësinë e koalicionimit me të dy partitë shqiptare, gjë që prodhoi edhe efektin e pritur për partinë e Gruevskit, minimizimin e kërkesave të partive shqiptare për të qenë pjesë e qeverisë.
Sigurisht, edhe kjo eufori para formimit të qeverisë së re shpejt do të jetë pjesë e të së kaluarës. Shqiptarët sërish do të përfaqësohen nga partitë që primare e kanë “interesin gjithëshqiptar”. Shkupjanët do të shëtisin edhe më tutje në sheshin ku përmendoret “mbijnë” çdo ditë me drojën se do të mund të jenë cak i sulmit të ndonjë grupi “tifozësh”, tetovarët do të vazhdojnë të jetojnë me “mallkimin mbi supe” pse votuan një parti tjetër, dibranët do të vazhdojnë ta kërkojnë shpresën përtej oqeanit, banorët e Likovës do të vazhdojnë të jenë pa përkujdesje nga “dora e shtetit”, struganët do vazhdojnë të shpresojnë se një ditë në komunën e tyre do të investohet të paktën gjysma e mjeteve që investohet në komunën e Ohrit, ndërsa aty, krejt në fund, thuajse të padukshëm, shurdhuese do të jetë heshtja e një grusht shqiptarëve të Manastirit, qytetit të Alfabetit, i cili me deshqiptarizimin e tij na ndërmend thënien se ai popull që nuk din ta mbrojë të kaluarën e vet, nuk mund të ketë as të ardhme!
E derisa të jetë kështu, uji gjithmonë do të shkojë në mullirin e “gruevskave”, ndërsa mjerisht BDI dhe PDSH edhe tani më lehtë e kanë “pazarllëkun” me VMRO-DPMNE-në sesa që do të mund të gjejnë gjuhë të përbashkët ndërmjet vete.