Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese për media thotë se dënon ashpër dhunën fizike dhe gjinore gjatë protestave të sotme në Tetovë.
Sipas tyre, “brutaliteti politik partiak, dorë fshehur i opozitës shqiptare i cili nuk njeh kufi, e as dhimbje për familjarët e viktimave të cilët fatkeqësisht humbën jetën në një tragjedi të përmasave të cilat nuk i kemi përjetuar më parë, është dëshmi e tentativave të njëpasnjëshme për përfitimin e pikëve të ulëta politike në funksion të zgjedhjeve lokale”.
Bashkimi Demokratik për Integrim u bën thirrje oponentëve politik që të mos luajnë me ndjenjat e qytetarëve dhe me këtë mos të trazojnë plagët e familjarëve.
“Gjithashtu BDI dënon dhunën verbale gjinore dhe sloganet brutale të përdorura nga ana e organizatorëve. BDI dënon edhe keqpërdorimin e protestuesve të mitur, të cilët mund të vëreheshin në këtë marsh protestues duke shkelur çdo të drejtë të tyre”.
“Vlerësojmë se organet e hetuesisë vendore bashkë me ekspertët gjerman tashmë janë duke bërë punën e tyre investiguese, me qëllim të zbardhjes sa më parë të shkaqeve që çuan deri tek tragjedia. Bashkimi Demokratik për Integrim edhe njëherë ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe kërkon nga partitë politike që të mos keqpërdorin dhimbjen e tyre”, thonë nga BDI./Telegrafi/