Derisa coronavirusi po përhapet gjithandej planetit, paralajmërimet e fundit vënë në pah faktin se rreziku më i madh do të ishte nëse virusi do të arrinte edhe kampet e refugjatëve.
Në këtë drejtim, BBC shkruan se paralajmërimet e rrepta vijnë nga mjekët, punonjësit e ndihmave dhe Kombet e Bashkuara, sipas të cilave kampet për të shpërngulurit në Sirinë Veri-Perëndimore mund të shkatërrohen nga një shpërthim i mundshëm i coronavirusit.
Po sipas BBC, përcjell Telegrafi, pothuajse një milion njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në zonë që nga dhjetori kur regjimi sirian nisi një ofensivë për të marrë Idlib – provinca e fundit e mbajtur nga opozita.
Zyrtarët shëndetësor atje kanë frikë se rreth 100,000 persona mund të vdesin përveç nëse furnizimet mjekësore arrijnë urgjentisht.
Për fat të mirë, po sipas BBC, deri më tani nuk ka raste të konfirmuara.
Ndryshe, siç është raportuar më herët, Madridi dhe Londra janë duke u ballafaquar me përmasat që i ka marrë epidemia e coronavirusit menjëherë pas Lombardisë në Itali, kurse përqindja e vdekjeve në këto dy qytete është duke u dyfishuar çdo ditë.
Jashtë Evropës, në SHBA, numri i të vdekurve ka filluar të ulë paksa ritmin krahasuar me vendet e tjera, ndërsa vetëm në New York është shumë më keq dhe nëse vazhdon me këtë tempo mund ta tejkalojë Madridin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar që SHBA-të mund të jenë së shpejti epiqendra e pandemisë së coronavirusit.
Në anën tjetër Pentagoni se epidemia në SHBA do të zgjatë disa muaj dhe se gjendja pritet të normalizohet në korrik. /Telegrafi/