Telegrafi

BBC dokumenton masakrën në Siri

Një skuadër gazetarësh vizitoi fshatin Haswiya, ku të paktën 100 persona u vranë dhe u dogjën brenda banesave të tyre në datat 15-16 janar.

Ushtarët që përcollën ekipin britanik deri në vendngjarje fajësuan frontin islamik rebel “Al-Nusra” për këtë makabritet. Një banore e mbijetuar mbështeti gjithashtu këtë pretendim.

Megjithatë, një tjetër banore e mbijetuar tha se ishin njësitë famëkeqe paraushtarake të “Shabihës” ato që kryen masakrën dhe se disa ushtarë të rregullt u kanë kërkuar falje.

Aktualisht, nuk mund të përcaktohet se cilët ishin autorët e kësaj masakre, transmeton TCH.

Ishin burime të kryengritësve ata që informuan ekipin e BBC-së për atë që kishte ndodhur në Haswiya, ndërsa ushtria informoi se të gjithë trupat ishin larguar nga fshati, por ekipi i reporterëve arriti të gjente disa dhjetëra kufoma, shumë prej të cilave të karbonizuara ose të dëmtuara në një shkallë të tillë sa identifikimi bëhej i pamundur me sy të lirë.

Duket se shumica e vdekjeve u shkaktuan nga breshëritë e mitralozave dhe armëve të tjera automatike, me dhjetëra shenja plumbash në çdo shtëpi.

Pas masakrës, autorët e këtij krimi të përbuzshëm i vunë flakën disa banesave në përpjekje për të fshehur gjurmët.

BBC konfirmoi se midis të vdekurve, kishte edhe gra e fëmijë. Disa të mbijetuar u thanë reporterëve se masakra ka marrë jetën e të paktën 100 personave.

Homsi është krahina me bilancin më të lartë të viktimave në luftën civile siriane, e cila i ka marrë deri më tani mbi 60 mijë personave dhe ka shpërngulur katër milionë të tjerë. /Telegrafi/