Site icon Telegrafi

BB: Rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri më e shpejtë seç pritej

Përmes një takimi virtual me gazetarët është prezantuar sot në Tiranë, raporti ekonomik për Ballkanin Perëndimor, vjeshtë 2021.

Raporti tregon se, ekonomia e Shqipërisë po rimëkëmbet më shpejt seç pritej, pas krizës historike të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2020, për vitin 2021, parashikohet që rritja e PBB-së të shkojë në 7,2 për qind, një nga më e lartat në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo rimëkëmbje e fortë mbështetet kryesisht te konsumi, turizmi dhe ndërtimi. Në vijim, pritet që rritja të jetë në nivel mesatar prej 3,8 për qind për vitin 2022 dhe 3,7 për qind për vitin 2023. Në fund të vitit 2021, parashikohet që niveli i varfërisë në Shqipëri të bjerë në nivelin e para pandemisë. Punësimi dhe pjesëmarrja e forcës së punës janë po ashtu drejt rimëkëmbjes, edhe pse me ngadalësi, dhe pagat reale po rriten”, thuhet në botimin e fundit të Raportit Periodik Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Rimëkëmbje e gjelbër”.

Sipas raportit të BB-së, ringritja po kontribuon në mbledhjen e të ardhurave fiskale. Politikat ekonomike e kanë mbështetur këtë rimëkëmbje, por shtimi shpenzimeve ka çuar në rritje të mëtejshme të raportit të borxhit kundrejt PBB-së.

Ndërkohë që pandemia COVID-19 vazhdon në mbarë botën, pasiguria mbetet e lartë. “Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes”, u shpreh Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, sipas të cilit, “me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik”.

Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5,9 për qind për 2021, pas tkurrjes me 3,1 për qind në vitin 2020. Rritja e rajonit parashikohet të arrijë në 4,1 për qind për vitin 2022 dhe 3,8 për qind për vitin 2023. Norma e varfërisë për rajonin parashikohet të shkojë në nivelet para pandemisë dhe të ulet me rreth 1 pikë përqindje ose 20,3 për qind, çka është afër niveleve të vitit 2019.

Rimëkëmbja në mbarë rajonin vjen falë forcimit të kërkesës vendase dhe asaj të huaj. Rritja e fortë e konsumit vendas dhe rinisja e udhëtimeve në Evropë ndihmuan në rritjen e dërgesave, si dhe flukseve hyrëse të turistëve gjatë kulmit të sezonit veror.

Ringritja e fortë e ekonomive të përparuara siguroi, po kështu, rritje të kërkesës për eksporte nga rajoni. Megjithatë, rimëkëmbja mbetet e brishtë. Sinjalet paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të madhe me politika. Humbja e vendeve të punës për shkak të krizës dhe periudhës pasuese ka prekur shpërpjesëtimisht gratë dhe të rinjtë, çka mund të sprapsë përpjekjet për rritjen e shkallës, ndërkaq të ulët, të pjesëmarrjes së forcës së punës në rajon. Në vitin 2021, papunësia te të rinjtë në rajon shkoi në 37,7 për qind, duke u rritur me 5,4 pikë përqindje nga qershori i vitit 2020, çka përkeqësoi më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.

“Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor shohin përpara drejt së ardhmes pas pandemisë, politikat e tyre duhet të përqendrohen në heqjen e pengesave kryesore për shtimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, përfshirë tranzicionin e gjelbër”, u shpreh Linda Van Gelder, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Të gjashta vendet do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, qeverisje dhe digjitalizim, çka do të kontribuonte në rritje dhe në ngushtimin e hendekut me vendet e BE-së”.

Raporti hedh një vështrim edhe mbi sfidat makrofiskale dhe nxitësit e rritjes së gjelbër në rajon. Aktualisht, Ballkani Perëndimor e gjen veten në moment vendimmarrjeje kyçe lidhur me tranzicionin e gjelbër, që është i pashmangshëm. Përpjekjet globale të aksionit për klimën po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri.

Preferencat e konsumatorëve dhe investuesve po ndryshojnë, teknologjitë e gjelbra dhe modelet e reja të biznesit po trazojnë më shumë tregjet dhe politikat e gjelbra po riformësojnë peizazhet ekonomike.

Si rrjedhojë e kësaj, kalimi drejt ekonomisë së gjelbër, për çdo vend, po bëhet faktor vendimtar në konkurrencën ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financime dhe investime ndërkombëtare.

Prezantimi i zhvillimeve ekonomike për Shqipërinë u bë nga ekonomistja e Zyrës së BB për Shqipërinë, Hilda Shijaku./ATSH

Exit mobile version