Telegrafi

BB ndihmë për modernizimin e sektorit publik

Me qëllim të diskutimeve për Projektin e Modernizimit Publik, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministri Arsim Bajrami, priti në një takim pune misionin e Bankës Botërore të përbërë nga William Dillinger, Clelia Rontoyanni dhe Yoko Kagawa.

Qëllimi i këtij takimi konsistonte në diskutimet rreth veprimeve, kornizës së rezultateve dhe aranzhmaneve për zbatimin e Projektit mbi Modernizimin e Sektorit Publik.

Me këtë rast, delegacioni i Bankës Botërore njoftoi të pranishmit mbi rëndësinë dhe natyrën e Projektit, objektivat e zhvillimit dhe indikatorët kryesorë dhe njëherazi për komponentët përbërës, përkatësisht komponentin që ka të bëjë me përmirësimin e performancës së menaxhimit të financave publike (duke përfshirë dhe prokurimin publik) dhe komponentin që ka të bëjë me përmirësimin e administrimit të pagave dhe vendosjes së bazës për një shërbim civil profesional.

Ministri Bajrami, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shprehu falënderimet për angazhimin dhe kontributin e Bankës Botërore dhe njëherazi theksoi rëndësinë e Projektit në fjalë për modernizimin e sektorit publik, duke theksuar rëndësinë që ka ky projekt në procesin e reformës së administratës publike përmes krijimit të një shërbimi civil profesional dhe ngritjes së standardeve të besimit e që si të tilla sigurojnë funksionimin e qëndrueshëm të organeve qeveritare dhe shfrytëzimit në mënyrë efektive të resurseve buxhetore. /Telegrafi/