Banka Botërore vlerëson se një prej indikatorëve kryesor të testit “Pisa” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ai i leximit, do të bjerë pranë nivelit të vitit 2012. Testi “Pisa” është standardi ndërkombëtar i mirënjohur për vlerësimin e nxënësve dhe sistemit arsimor të një shteti. Madje, Banka Botërore thotë se kriza aktuale dhe mbyllja e shkollave do të jetë më problematike për nxënësit e varfër.
Seria më e fundit me publikime e Bankës Botërore është pa diskutim dokumenti më i rëndësishëm mbi impaktin e Covid-19 në vendin tonë, duke filluar që nga varfëria e mirëqenia e qytetarëve e deri të sektorë të caktuar, si shëndetësia, arsimi, madje edhe ndotja. Mbyllja e shkollave gjatë periudhës së pandemisë do të shkaktojë probleme mjaft serioze në nivelin e arsimimit të nxënësve në të gjithë Ballkanin Perëndimor, thotë Banka Botërore.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duket të jetë ndër ato që do ta vuajnë më shumë këtë gjë. Banka Botërore vlerëson se një prej indikatorëve kryesor të testit “Pisa” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ai i leximit, do të bjerë pranë nivelit të vitit 2012. Testi “Pisa” është standardi ndërkombëtar i mirënjohur për vlerësimin e nxënësve dhe sistemit arsimor të një shteti. Madje, Banka Botërore thotë se kriza aktuale dhe mbyllja e shkollave do të jetë më problematike për nxënësit e varfër. “Hendeku mes nxënësve që vijnë nga familje të pasura dhe atyre që vijnë nga familje të varfra do të rritet edhe më tej si pasojë e krizës aktuale”, thotë Banka Botërore.
Aktualisht, ky hendek në Maqedoninë e Veriut fiksohet në 1.5 vite shkollë në favor të nxënësve që vijnë nga familjet e pasura. Ky hendek pritet të ngjitet në 2 vite shkollë, nënvizon Banka Botërore. Institucioni ndër të tjera thotë se kriza aktuale do të rrisë nivelin e atyre që klasifikohen si analfabet funksionalë, do të rrisë rastet e largimeve të hershme nga shkolla. “Eksperiencat nga recesionet e kaluara tregojnë se kur buxhetet shtetërore goditen, e njëjta gjë ndodh edhe me shpenzimet për frymë studenti. Në nivele të ndryshme, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shpenzojnë në mënyrë më efiçente në sistemet e edukimit, por disa, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova – duhet të investojnë më shumë në arsim”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.(koha.mk)