Telegrafi

Bayerni rikthen kreun me fitore bindëse

Bavarezët kryen punën e tyre që në pjesën e parë, duke shënuar tre gola. Ivica Olic kaloi vendasit në epërsi pas 22 minutash, ndërsa Arjen Robben dyfishoi atë pas tetë minutash tjera. Një minutë para fundit të pjesës së parë, Thomas Muller shënoi edhe golin e tretë të bavarezëve.

Ky hov i Bayernit nuk mbaroi këtu, pasi i njëjti tregim u përsërit edhe në pjesën e dytë, madje me një gol më shumë. Katër minuta me të filluar pjesa e dytë Olic shënoi golin e tij të dytë, ndërsa nuk vonoi shumë, vetëm një minutë më pas, edhe Robben gjeti portën për të dytën herë për të çuar avantazhin e ekipit të tij në 5-0. Ngjashëm Muller shënoi golin e tij të dytë, të tretin e pjesës së dytë dhe të gjashtin për ekipin vendas (62’).

Një gol tjetër i vonshëm i shënuar në minutat shtesë të ndeshje i ndihmoi holandezit Robben të kompletojë hat-trick dhe të vulosë fitoren e thellë të Bayernit.

Ekipi i trajnerit Louis van Gaal do të ketë dy pikë epërsi ndaj ekipit ndjekës, Schalke, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit. /Telegrafi/