Telegrafi

Bayerni i pamëshirshëm, i transferon dy yjet e rivalit nga Bundesliga

Nëse një futbollist ka një sezon të madh në Bundesliga, atëherë thuajse është e pamundur që ai të largohet tek ndonjë skuadër tjetër evropiane pa u pyetur fillimisht Bayerni.

Kampioni aktual i Gjermanisë e ka shfrytëzuar edhe njëherë fuqinë që ka mbi skuadrat tjera gjermane.

Së fundmi bavarezët kanë arritur marrëveshje për transferimin e dy futbollistëve gjerman nga Hoffenheim.

Fjala është për mbrojtësin e talentuar, Niklas Sule dhe mesfushorin njëherit kapiten i skuadrës, Sebastian Rudy.

Sule do t’i bashkohet Bayernit për një shumë prej 25 milionë eurove, ndërsa ai u kërkua nga shumë skuadra të ndryshme.

Niklas Sule do të transferohet në Bayern Munich për 25 milionë euro

Chelsea, Everton, Manchester City, Inter dhe Milan ishin skuadrat që u refuzuan nga 21-vjeçari që zgjodhi Bayernin.

Ndërkohë mesfushori Rudy shihet si zëvendësimi adekuat i spanjollit Xabi Alonso.

Rudy do të transferohet në ‘Allianz Arena’, si futbollist i lirë pasi në qershor i skadon kontrata me Hoffenheim.

Kapiteni i Hoffenheim, Sebastian Rudy do t’i bashkohet Bayernit si futbollist i lirë në fund të stinorit

Kujtojmë që pas 15 javëve në Bundesliga, Hoffenheim është skuadra e vetme e pamposhtur me gjashtë fitore dhe nëntë barazime.

E përditshmja gjermane Bild ka shkruar se marrëveshja me dy lojtarët është arritur dhe zyrtarizimi pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

Por dilema e madhe mbetet nëse Sule do t’i bashkohet nga janari Bayernit apo do të mbetet i huazuar në Hoffenheim deri në fund të stinorit./Telegrafi/