Telegrafi

Bayerni në ndjekje të rekordit të Barcelonës, Lewandowski ‘sulmon’ Ronaldon

Bayern Munich është një makinë golash këtë sezon pasi ka shënuar 158 herë në 51 ndeshje në të gjitha garat.

Forma e tyre e mirë mund t’i ndihmojë bavarezët që të thyejnë dy rekorde në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain të dielën.

Nëse Bayern i shënon tre gola kundër skuadrës së Thomas Tuchel, ata do të barazojnë rekordin e Barcelonës me më shumë gola të shënuar nga një ekip në një sezon të Champions, gjithsej 45 në edicionin 1999/00.

Sidoqoftë, duhet thënë se katalanasit kishin në dispozicion 16 ndeshje, me një mesatare prej 2.8 gola për ndeshje, ndërsa gjermanët kanë luajtur 11 ndeshje, me një mesatare prej 4.2 golash për ndeshjen deri më tani.

Për më tepër, në rast se Robert Lewandowski shënon dy gola në finale, ai mund të barazojë rekordin e Cristiano Ronaldos në sezoni 2013/14 me 17 gola në një fushatë.

Sulmuesi polak, i cili ka shënuar 55 herë në 46 ndeshje dhe ka arritur të gjejë golin në nëntë ndeshjet e tij të fundit në Ligën e Kampionëve, ka regjistruar 15 gola deri më tani pas golit në gjysmëfinale kundër Lyon. /Telegrafi/