Telegrafi

Bayerni mposht Violan

Pjesa e parë e takimit ishte sadopak e baraspeshuar, sidomos minutat e para të saj, mirëpo vendasit dalëngadalë shtuan presionin ndaj portës së Sebastian Freit.

Një aksion i bukur i Robben, Gomez dhe Ribbery rezultoi me penallti në favor të bavarezëve, pas ndërhyrjes në anësorin francez.

Ndërsa nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Arjen Robben (45’+3), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Fiorentina reagoi për të barazuar rezultatin. Pas një goditje nga këndi të Marco Marchionnit më së miri brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit u gjet Per Billeskov Kroldrup, i cili barazoi shifrat (50’).

Nga minuta e 73-të gjërat u vështirësuan për skuadrën mysafire, pasi që Massimo Gobbi u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje në Arjen Robben.

Goli i fitores për bavaraezët erdhi nga pozita jashtë loje, kur Miroslav Klose shënoi me kokë në portën e Frei (89’).

Ky rezultat lë gjithçka të hapur, duke qenë se ndeshja kthyese zhvillohet në Artemio Franchi, ndërsa Fiorentina ka shënuar një gol në terren mysafir. /Telegrafi/