Bayern Munichu e ka lënë prapa konkurrentin e sivjetmë për titull, RasenBallsport Leipzig, pas fitores prej 3-0 në Allianz Arena.
Bavarezët e kryen ndeshjen që në pjesën e parë, në të cilën i shënuan tre gola. I pari që realizoi ishte Thiago Alcantara (17’), ndërsa epërsinë e dyfishoi Xabi Alonso (25’).
Përjashtimi i Emil Forsberg me karton të kuq (30’), ua lehtësoi punën nikoqirëve, të cilët morën gjithçka në dorë.
Pa përfunduar pjesa e parë u akordua penalti në favor të kampionit në fuqi, të cilën e konvertoi në gol Robert Lewandowski (45’).
Duke qenë se e kishin vulosur fitoren, lojtarët vendas nuk kishin nevojë të angazhoheshin në gjysmën e dytë, në të cilën nuk u shënuan gola.
Bayern Munichu është në krye të tabelës së Bundesligas, me tri pikë më shumë se RB Leipzig. Bavarezët në xhiron e radhës kanë për kundërshtar Freiburgun, kurse Leipzigu luan kundër Eintracht Frankfurtit. /Telegrafi/