Telegrafi

Bayerni e turpëron Dortmundin në Allianz Arena – fiton me lehtësi derbin e Bundesligës

Bayern Munichu e ka fituar derbin ndaj Borussia Dortmundit që u zhvillua në kuadër të javës së 11-të në Bundesligë.

Bavarezët i kanë demoluar në Allianz Arena ‘Milionerët’, pasi fituan me rezultat bindës 4-0.

Pas vetëm 17 minutash lojë, Robert Lewandowski e shënoi golin e parë të takimit nga asistimi që pranoi prej Benjamin Pavard.

Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, derisa në të dytën u shënuan edhe tre gola të tjerë.

Serge Gnabry (47’) e dyfishoi epërsinë për Bayernin, pasi u shërbye mjaftë mirë nga Thomas Mullers.

Sulmuesi polak u rikthye sërish me gol në minutën e 76-të, ndërsa Mullers ishte sërish në rolin e asistuesit.

Matts Hummels (80’) pati një shije të hidhur ndaj ish-skuadrës së tij, pasi shënoi auto-gol, duke bërë kështu që ndeshja të përfundonte 4-0.

Pas javës së 11-të, Bayerni është ngjitur në pozitën e tretë me 21 pikë, derisa Dortmundi është në të pestin me 19 pikë.

Në xhiron e 12-të, kampioni i ligës gjermane takohet me Dusseldorfind, derisa Dortmundi do të ketë punë me Paderbonin. /Telegrafi/