Telegrafi

Bayerni dhe Dortmundi kanë bërë oferta zyrtare për Hlozek

Adam Hlozek është njëri nga talentët më të mëdhenj në futbollin evropian.

Mesfushori i talentuar çek ka shkëlqyer viteve të fundit me Sparta Pragën duke zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha, kryesisht nga Gjermania.

Sport Bild ka raportuar se Bayern Munich dhe Borussia Dortmund tanimë kanë bërë oferta zyrtare në drejtim të Sparta Pragës për të nënshkruar me mesfushorin ofensivë.

Shuma që kanë ofruar dy gjigantët gjermanë nuk është bërë me dije, por një ofertë zyrtare në zyrat e Sparta Pragës ka mbërritur edhe nga West Ham United.

Drejtori sportiv i Sparta Pragës, Tomas Rosicky ditë më parë ka deklaruar se nuk e kanë ndërmend ta lënë të lirë largimin e xhevahirit të tyre pa fituar shifrën e 25 milionë eurove.

Madje sipas Bild, Rosicky që është një ish-lojtar i Dortmund mund t’i ndihmojë verdhezinjve dhe ta këshillojë lojtarin që të transferohet në Signal Iduna Park.

19-vjeçari Hlozek këtë edicion në 26 ndeshje ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në 12 të tjerë. /Telegrafi/