Telegrafi

Bayern Munich mposht Gladbachun dhe vazhdon të ushtrojë presion tek Leverkuseni

Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në shtëpi ndaj Borussia M’Gladbach, në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit gjerman.

Pjesa e parë ishte mjaft aktive me të dy skuadrat që kishin rastet e tyre për gol dhe eventualisht që të dyja gjetën rrugën e rrjetës.

Bayerni fillimisht pati dy mundësi të mira me Leroy Sane, por gjermanit i mungoi finalizimi përballë portës.

Nico Elvedi (31’) arriti të shënojë për t’i dhënë avantazhin Gladbachut prej 1-0 pas një tollovie brenda zonës së rrezikshme.

Bayerni reagoi krejt në fund të pjesës së parë, duke barazuar rezultatin me anë të Aleksandar Pavlovic (45’) i cili shfrytëzoi një pasim të Thomas Muller për të barazuar shifrat në 1-1.

Baverëzt arritën që të kompletojnë rikthimin në pjesën e dytë duke shënuar me Harry Kane (70’) me anglezin që shënoi me kokë për 2-1.

Për të mbyllur dilemën e fituesit u përkujdes Matthijs De Ligt (86’) i cili shënoi po ashtu me kokë për rezultatin 3-1.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e Bayernit në Bundesliga dhe tani gjiganti gjerman po vazhdon të ushtrojë presion mbi liderin Leverkusen.

Pas kësaj fitore Bayerni shkon në kuotën e 50 pikëve në kampionat pas 20 ndeshjeve të zhvilluara, me dy më pak se Leverkuseni që ka 52 sosh në vendin e parë./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore