Telegrafi

Bayern Munich i dërgon mesazh të ashpër Senegalit për Manen: Shëndeti më i rëndësishëm se futbolli

Trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann thotë se klubi do të vazhdojë të monitorojë situatën në lidhje me dëmtimin e Sadio Manes dhe se pavarësisht dëshirës së madhe të senegalezit që ai të luajë në Botërorin e Katarit, shëndeti i lojtarit duhet të jetë më i rëndësishëm se futbolli.

Mane u dëmtua në mesin e javës së kaluar në ndeshjen kundër Werder Bremen, kur u godit në këmbën e djathtë dhe për këtë arsye u desh të linte lojën.

Siç pritej, ai nuk do të luajë në ndeshjen e radhës mes Bayern Munich dhe Schalkes, ndërsa senegalezët duan ta shohin me të gjitha forcat që në ndeshjen e parë në Katar.

Përzgjedhësi Aliou Cisse e përfshiu Mane në listën përfundimtare të Senegalit për Katar, dhe megjithëse të gjithë në këtë vend duan ta shohin sulmuesin e Bayernit në fushë dhe në skuadrën e Senegalit, trajneri Julian Nagelsmann paralajmëroi se mund të jetë katastrofike për të gjithë.

“Për dhjetë ditë do të kemi një ekzaminim tjetër me Manen për të zbuluar se si po shkon rikuperimi i tij. Ne e kuptojmë që në Senegal të gjithë duan që ai të luajë në Katar, por nëse ai ka dhimbje, ai nuk mund të luajë”.

“Shëndeti është më i rëndësishmi. Kjo është e vërtetë si për ne, ashtu edhe për të gjithë të tjerët”, ka treguar ashpër Nagelsmann.

Senegali do të luajë kundër Ekuadorit, Holandës dhe Katarit në Kupën e Botës.

Përfaqësuesja e lartë e Federatës së Futbollit të Senegalit, Fatma Samoura, ka treguar në një intervistë për mediat franceze se senegalezët do të bëjnë gjithçka për të rimarrë Sadio Mane për Botërorin dhe se janë gati të përdorin edhe magjitë. /Telegrafi/