Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi kanë qenë dy protagonistët kryesor që kanë luftuar për titull në Bundesliga gjatë viteve të fundit, por këtë vit gjasat janë mjaft të mëdha që Bayer Leverkuseni të shpallet kampion i Gjermanisë për herë të parë.
Bayerni ka fituar 11 titujt e fundit të Bundesligës duke shtrirë dominimin absolut në Gjermani, por kësaj serie siç duket i ka ardhur fundi, pasi të besuarit e Xabi Alonsos po shkojnë me hapa të sigurt drejt titullit.
Me fitoren e arritur ndaj Mainzit, Leverkuseni ka vendosur një rekord të ri në Bundesliga, që do të jetë mjaft e vështirë të thyhet në një të ardhme të afërt.
Tri pikët e arkëtuara këtë xhiro do të thotë se ekipi i Xabi Alonsos tani ka shkuar në 33 ndeshje pa humbje në elitën e futbollit gjerman këtë sezon, duke mposhtur rekordin që e kishte mbajtur më herët Bayerni.
Pas fitores, Alonso kishte insistuar se gjithçka që ka rëndësi janë vetëm tri pikët. Teksa kanë mbetur edhe 11 ndeshje deri në fund të sezonit, Leverkuseni janë duke udhëhequr tabelën me 11 pikë më shumë se Bayerni në vend të dytë, që sot (e shtunë) do të përballet me Leipzigun në “Allianz Arena”.
“Nuk ishte ndeshaj jonë më e mirë, por tri pikët janë shumë të rëndësishme. Ne mund të shijojmë vikendin dhe pastaj do të vazhdojmë përpara. Ju nuk mund të luani gjithmonë mirë”, ishin fjalët e Xabi Alonsos pas ndeshjes./Telegrafi/