Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është drejt përfundimit të numërimit të votave në garën për kandidat të komunave në zgjedhjet e së dielës.
Në Prizren, sipas të dhënave preliminare, Shaqir Totaj i PDK-së dhe Mytaher Haskuka i VV-së, pritet të garojnë për të parin e qytetit.
Hatim Baxhaku i LDK-së, i renditur si i treti në këto zgjedhje, ka folur për Telegrafin rreth ecurisë së zgjedhjeve dhe mundësinë e koalicioneve.
“Kemi pasur ecuri të mirë të zgjedhjeve. Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare dhe më pas kryesia e partisë do të vendos rreth koalicioneve. Por, unë haptas i kam thënë bashkëpartiakëve se do ta mbështes kandidatin e VV-së”, ka pohuar Baxhaku.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje ka një disponim pozitiv rreth mundësisë së bashkëpunimit me LDK-në dhe NISMA-n.
“Jemi në pritje të rezultateve finale. Rreth mundësisë së koalicioneve do të vendosim pas konsultimeve me strukturat e partisë. Ekziston një vlerësim pozitiv për mundësinë e bashkëpunimit me LDK-në dhe NISMA-n”, ka pohuar për Telegrafin deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Prizreni, Arbër Rexhaj.
Ndryshe, rreth 41 për qind e prizrenasve kanë ushtruar të drejtën e votimit. /Telegrafi/