Site icon Telegrafi

Bau Academy përmes trajnimeve 3-mujore po përgatit të rinjtë për tregun e punës

Bau Academy është Shkollë e Mesme e Lartë Profesionale me partneritet Gjermano-Kosovar, e cila përveç si shkollë, tashmë është akredituar edhe për mbajtjen e trajnimeve për Instalues të Ngrohjeve dhe Klimatizimit dhe Instalues Elektrik.

Trajnimet të cilat zgjasin rreth tre muaj e gjysmë, përbëhen nga 280 orë, të cilat pastaj shndërrohen në kredi, dhe certifikatat e këtyre trajnimeve janë të pranuara edhe ndërkombëtarisht.

Drejtoresha e Bau Academy, Sofie Hasani-Halilaj, ka filluar tashmë të pranoj kandidatët për grupin e dytë të trajnimeve, të cilat mbahen nga trajnues profesional, të cilët i përgatisin kandidatët që sapo të certifikohen të jenë konkurrentë të denjë për tregun e punës.

“Pakoja e trajnimit ofrohet nga profesor dhe trajnues të kualifikuar, të cilët janë të përgatitur për t’i pajisur kandidatët me kompetencat, që të jenë të gatshëm për tregun e punës. Ata janë të gatshëm t’i përmbushin kërkesat e bizneseve kosovare dhe pse jo edhe të atyre jashtë shtetit”, u shpreh Hasani-Halilaj.

Grupi i parë 14 personave është në fazën e fundit të trajnimeve, dhe tashmë është i gatshëm për tregun e punës.

Profesori Venet Tetaj, i cili është njëri ndër trajnuesit në Bau Academy, ka thënë se përveç kandidatëve të rinj të cilët nuk kanë përvojë paraprake për drejtimet e akredituara, ka edhe kandidat të cilët tashmë e ushtrojnë profesionin, por zgjedhin që të trajnohen në Bau Academy, për t’i zgjeruar njohuritë.

“Në grupin e parë të trajnimit në Bau Academy, i kemi 14 kandidat ku janë në fazën e fundit të licencimit dhe akreditimit dhe janë të përgatitur për tregun e punës në ditët në vijim”, u shpreh Tetaj.

Njëri ndër të trajnuarit e grupit të parë, është Rifat Zeqiri, nga Lipjani i cili ushtron profesionin e instaluesit të ngrohjeve dhe klimatizimit, ka vendosur që të ndjek trajnimin në Bau Academy, për të mësuar shumë gjëra të reja të cilat nuk i ka ditur më parë.

Ai shprehet i kënaqur me mënyrën se si bëhet ky trajnim që përfshinë pjesën teorike dhe praktike.

Përveç trajnimeve, Bau Academy ka bërë edhe memorandume bashkëpunimi me disa kompani, ku u mundëson kandidatëve që të kryejnë edhe një praktikë në kompanitë përkatëse, e ndoshta kjo mund të jetë edhe mundësi për punësim të menjëhershëm.

Bau Academy pret të gjithë kandidatët e interesuar për të filluar trajnimet me grupin e dytë i cili pritet të filloj së shpejti.

Exit mobile version