Debati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama i organizuar ditë më parë në Klan Kosova, ka ngjallur reagime të shumta.
Për kontekstin e debatit në “Zona e Debatit”, Baton Haxhiu përshkruan prapaskenat e këtij debati dhe reagimet që pasuan.
“E gjithë kjo situatë ka shpjegim. Realisht, pritjet për këtë intervistë kanë qenë të mëdha – tema ka qenë aktuale, një mori gjërash që i kanë paraprirë këtij debati kanë qenë interesante, për shembull, prej futbollit, debatit për identitet, etj.”, thotë Haxhiu në Info Magazine.
“Shkuarja e Ramës në Beograd ka bërë që opinioni publik të jetë i ndarë në dysh. E para e punës, nuk kam dëshirë që debate të tilla politike të shikohen kaq shumë sepse nuk janë showbiz, pasi i takojnë një niveli të ndryshëm të shikueshmërisë”, tha Haxhiu.
“Mua më vjen keq që debati i ka përngjarë një shikueshmërie sikur të ishte Madonna pasi 637.000 vetë e kanë shikuar vetëm në Facebook, e mos të flasim për shikueshmërinë shumë të madhe televizive. Ka qenë një lloj revolucioni në internet sa i përket debateve televizive në mediat shqiptare”.
“Përplasjet kanë qenë shumë të mëdha, ndonëse as vetë Rama, as analistët, e as unë, nuk e kemi pritur një shkallë të tillë”, ka thënë Haxhiu.
“Edi Rama është politikan me artikulim dhe retorikë të jashtëzakonshme – mund ta duani Ramën, apo ta urreni, por nuk mund ta injoroni nivelin e tij debatues. Ai është një nga politikanët e pakontestueshëm sa i përket nivelit të lartë në debate. Problemi është se analistët kanë pasur një respekt dhe një mirësjellje shumë të madh ndaj Ramës”.